Do të ketë zgjidhje çështja e emrit “maqedoni” për popullin bullgaro-serb dhe...

Do të ketë zgjidhje çështja e emrit “maqedoni” për popullin bullgaro-serb dhe shqiptar?

73
0
SHPËRNDAJE

Autoritetet në Shkup shpresojnë se çështja e emrit të Maqedonisë që ka mbajtur peng vendin kundrejt integrimeve në strukturat euro-atlantike që nga pavarësia e tij, mund të gjejë një zgjidhje të shpejtë.

Por, si Athina ashtu edhe Shkupi i quajnë spekulime referencat e dëgjuara këto ditë në media për emërtimin e republikës ish-jugosllave.

Çështja e emrit të Maqedonisë duket se nuk ka qenë asnjëherë më afër zgjidhjes dhe shpresat, sidomos në Shkup janë që problemi njëzet e shtatë vjeçar të mbyllet me një kompromis deri në muajt e verës. Por zyrtarë grekë citohen të jenë shprehur se Shkupi është ai që është më i interesuar për zgjidhje të shpejtë, dhe jo Athinës. Maqedonia është bllokuar nga vetot greke dhe nuk mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian as e Natos pa ndryshuar emrin.

Disa nga referencat që janë përfolur këto ditë për riemërtimin e Maqedonisë janë Maqedonia Veriore, e Sipërme ose e Re, në gjuhën maqedone pa përkthim; pra në përdorim ndërkombëtar ndërsa grekët do të përdornin trajtën Sllavomaqedonas për popullin fqinj.

Këto, megjithatë në këtë fazë janë vetëm spekulime për çka autoritetet në Shkup nuk kanë folur publikisht, ndërsa ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara në çështjen e emrit, Mathew Nimetz pritet që pas një jave të dalë me një propozim të ri për emrin e Maqedonisë.

Analisti Arsim Zekolli thotë se ajo që është e mirë në këtë proces është ulja e tensioneve midis Maqedonisë dhe Greqisë.

“Vërehet se tek qytetarët e Maqedonisë, po ashtu tek maqedonasit, ka një pajtim me faktin se duhet të ketë patjetër ndryshim të emrit. Dhe konflikti mbi emrin më shumë karakterizohet nga tensionet e brendshme në Maqedoni, në skenën politike të saj, por dhe të Greqisë dhe në mes të dy vendeve dhe kjo gjë shkakton një dilemë te qytetarët nëse vallë do të shkohet drejt një zgjidhjeje efektive, para samitit të Natos në qershor, apo do të kemi një përsëritje të skenarëve të parë deri më tani”, thotë zoti Zekolli.

Ish-ambasadori Zekolli vlerëson se nëse Greqia do të përdorte termin ‘sllavomaqedonas’, ashtu siç dëgjohen propozime nga Athina, kjo do të krijonte mosmarrëveshje dhe keqinterpretime:

“Atëherë shtrohet pyetja se si do të identifikohen shqiptarët (e Maqedonisë); nëse ata do të detyrohen që përmes një marrëveshjeje të pranojnë një shtesë ndaj identitetit etnik apo bëhet fjalë për një manipulim mediatik për të vërejtur reagimet e qytetarëve. Për dallim nga pala maqedonase e cila ka identifikuar “vijat e kuqe” në lidhje me ndryshimin e emrit, tek faktori politik shqiptar kemi një heshtje dhe deklaratat e zv.kryeministrit Bujar Osmani më shumë janë në funksion të intersave partiake se sa të shprehjes së ndjeshmërisë apo interesave shqiptarë të Maqedonisë”,thotë analisti.

Megjithatë, qeveria greke ka hedhur poshtë spekulimet e medias lidhur me referencat e përfolura.

Nga ana tjetër, media greke përcjell komentet e autoriteteve në vend që shprehen për një zgjidhje të shpejtë. “Merruni vesh sllavët me shqiptarët për emrin”, thuhet të jenë shprehur zyrtarë grekë për median greke.

Ndërkaq, zëvendës-kryeministri në qeverinë e Maqedonisë, Bujar Osmani ishte të martën në Athinë është shprehur se “tash është rasti historik për t’i dhënë fund çështjes së emrit të Maqedonisë dhe ne kemi për obligim të tregojmë pjekuri dhe seriozitet dhe mos ta lëshojmë këtë shans”, ka theksuar ai.

Por, para ndryshimit të emrit të Maqedonisë, autoritetet qeveritare , siç ka shprehur gatishmërinë kryeministri Zaev, do të ndryshojnë emrat e rrugëve të emërtuara sipas figurave antike, emrin e aeroportit “Aleksandri i Madh” në Shkup si dhe të zhvendosin shtatoret e Aleksandrit dhe të Filipit të Dytë nga sheshet kryesore të kryeqytetit.