Në Maqedoni botohet libri “Gjurmëve të veshjes popullore shqiptare”

Në Maqedoni botohet libri “Gjurmëve të veshjes popullore shqiptare”

22
0
SHPËRNDAJE

“Gjurmëve të veshjes popullore shqiptare” është studim hulumtues etnografik i regjioneve të banuara me shqiptarë brenda përkufizimit gjeografik të Maqedonisë i cili u botua së fundmi nga autorët Bukurije Mustafa, Izaim Murtezani dhe Rini Useini.

Nisma e kërkimeve hulumtuese etnografike ishte ndër projektet e para të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, që filloi që nga viti 2010 dhe u punua për një kohë të gjatë, raporton Portalb.

Qëllim dhe synimi kryesor i ekspeditës shkencore ishte mbledhja dhe regjistrimi i trashëgimisë materiale të shqiptarëve, duke e marrë parasysh se ishte i pritur fakti se fare pak mund të gjenden në terren dhe se duhet kërkuar edhe në kujtimet e njerëzve.

Kjo, sipas autorëve, ishte edhe arsyeja e emërtimit të studimit si gjurmë, sepse atë çfarë e gjejmë në terren janë relikte të zbehura të etnokulturës së përgjithshme shqiptare në Maqedoni.

“Trajtimi i çështjeve etnografike u mbështet në parime shkencore, me qëllim të një verifikimi të argumentuar dhe reflektimi objektiv të realitetit tonë. Në të njëjtën kohë, vetëdija e identifikimit kulturor kombëtar dhe të zhvillimit të hovshëm të globalizimit kulturor, nxit përshpejtimin në procesin e mbledhjes e përmbledhjes të asaj, që po zhduket dhe shkon rrugës së pa kthim, duke shkrirë vlerat reale të një populli, atë që të përcakton si një kolektiv brenda një shoqërie multikulturore”, thonë autorët.

Në rrethana të një migrimi të shpejtë dhe të hershëm, shtojnë më tej, që ndikon në tjetërsimin e individit, humbet e vjetra dhe pranohet e reja, e huaja. Kjo është shumë e fuqishme në trashëgiminë materiale të veshjeve, të cilat jo vetëm që dallojnë nga njëri regjion te tjetri, por reflektojnë edhe ndryshimet kulturore gjatë periudhave të ndryshme historike.

Maqedonia, në këtë drejtim fare nuk ndryshon nga shtetet e tjera të Ballkanit, por që fatkeqësisht, kjo nuk ka arritur ta trajtojë trashëgiminë kulturore, në veçanti të popujve të ndryshëm brenda saj dhe sot më flasim për një gjendje të rrezikuar të kësaj pasurie kulturore.

“Ky fakt e rrit vlerën e përpjekjes për të regjistruar çdo gjë, që e gjejmë ende të gjallë, me shumë vite e dekada vonesë. Duke pranuar këtë gjendje, ne jemi përqendruar në regjistrimin aktual të veshjeve edhe atë në disa pika kryesore të vendbanimeve shqiptare, në pjesën veriperëndimore e jugore të Maqedonisë, me shpresë se do të gjenim diçka nga e kaluara. Arsyet e një gjendjeje të këtillë janë të shumta, gjë që e vështirëson ndjekjen e evoluimin të etnokulturës së përgjithshme, që reflektohet edhe te veshjet popullore. Kjo ndodh edhe nga arsyeja e mungesës së mëhershme të hulumtimeve shkencore për këtë trashëgimi apo edhe të tjetërsimit kulturor të shqiptarëve në periudha të ndryshme historike, mirëpo nuk duhet mohuar lidhjen e një vazhdimësie të natyrshme në vijën Shqipëri e Kosovë, që ka të bëjë edhe me tipologjinë e veshjes popullore të shqiptarëve në Maqedoni”, shtojnë ata.

Nga këndvështrimi sinkronik, kthimi tek ajo se si dhe çfarë kanë veshur popullata vendëse shqiptare është i mundshëm, vetëm nga fotografitë familjare të regjistruara, diku nga vitet e 70-ta të shekullit të kaluar dhe ky është një fakt tjetër, që e kemi vendosur në këtë libër, me mendimin e një prezantimi autentik origjinal të veshjes në kohë. Disa nga këto fotografi dhe veshje përmbajnë vlerë dokumentare, mirëpo kanë edhe vlerë emocionale, të cilat me mall i ruajnë kostumet, që lidhen me martesën, si nuse e si dhëndër. Shumë prej këtyre veshjeve janë të vjetra, duke pasur parasysh se kanë qenë të veshura në momentet e martesës dhe shpeshherë të trashëguara nga vjehrrat, tashmë gra të plakura, e që datojnë të jenë diku mbi 70-80 vjet.

Hapësira e përfshirjes së ekspeditës hulumtuese, ka filluar nga rajoni i Likovës, Kërçovës, Strugës, Velesit, Manastirit, Prespës, Krushevës, Tetovës dhe rajonet e rrethit të Shkupit. Vendet e zgjedhura, shtojnë më tej ata, janë pika referimi në kuptimin e tipologjisë së veshjes popullore shqiptare.

Ata thonë se gjatë ekspeditës kanë vizituar edhe fshatra, krejtësisht të boshatisura apo edhe fshatra të banuara, por me asnjë të vetmen pjesë të ruajtur të veshjes çështje e cila e paraqet gjendjen e rëndë të etnokulturës shqiptare në Maqedoni.

Kjo trashëgimi materiale, ka ndikim të madh edhe në visarin e përgjithshëm leksikor, të cilat rrezikojnë të zhduken dhe do të jetë kjo një goditje tjetër në leksikografinë shqiptare, duke mos mohuar faktin e huazimeve të shumta leksikore, por që ka të bëjë me faktografinë historike e politike, që e kanë përjetuar shqiptarët edhe në pjesën e trashëgimisë kulturore.

Trajtimi i këtij materiali përshin katër pjesë:Tipologjia dhe klasifikimi i veshjeve popullore të shqiptarëve në Maqedoni; Kah semiotika ornamentale e veshjeve popullore shqiptare në Republikën e Maqedonisë;Tiparet themelore të veshjes shqiptare; Album i veshjeve popullore.

Ky material është realizuar thonë me ndihmën e njerëzve dashamirë të kulturës shqiptare të cilët kanë ofruar përkrahjen e bashkëpunimin, duke dhënë pjesë të veshjeve të ruajtura nga të parët e tyre dhe duke siguruar fotografi familjare.