Formula e shenjtë e Matit dhe e gjithë shqiptarëve. Dokumenti i parë...

Formula e shenjtë e Matit dhe e gjithë shqiptarëve. Dokumenti i parë i gjuhës shqipe

830
0
SHPËRNDAJE

Të gjithë ia kanë bërë vetes pyetjen e artë se kur është shkruar për herë të parë gjuha shqipe. Sipas të dhënave të franceskanëve, nxjerrë në dritë kohët e fundit dhe botuar dhe nga konica.al, rezulton se shkollat shqipe kanë ekzistuar në Shqipëri që në shekullin 13-të në Ulqin dhe në rrethinat e Shkodrës. Ato sigurisht ishin shkolla kishtare dhe nuk ka ndonjë dokument që të sqarojë se çfarë mësonin në shkolla nxënësit shqiptarë.

Por është fakt që dokumentet më të vjetra të gjuhës shqipe na vijnë nga kishtarët. Dokumenti më i hershëm i gjuhës shqipe, i njohur deri më sot është “Formula e Pagëzimit” i përket vitit 1462. Ajo nuk është gjë tjetër veç një frazë në gjuhën shqipe që është përfshirë në një qarkore latine, që kryepeshkopi i Durrësit, Pal Ëngjëlli, këshilltari i Skënderbeut i dërgonte nga Mati vartësve të tij. Kjo formulë është formuluar në dialektin vendor, me dialektin që ruhet si visar i shenjtë dhe sot në Mat. “Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”

Duke përbërë një dokument unik, një shprehje të shenjtë për gjuhëtarët dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme të dokumentimit të gjuhës shqipe, kjo formulë është bërë objekti i studiuesve të mëdhenj shqiptarë. Profesor Çabej, duke analizuar dialektin e origjinalit të kësaj formule, ku fjala shpirt është shkruar shpertit, ashtu siç shqiptohet në krahinën e Matit arrin në përfundimin shkencor se kjo formulë është shkruar e lexuar në Mat. “Të shpertit, më fort se një shkrim gabim një lapsus kalemi në “shpirtit” do menduar se kemi të bëjmë me një trajtë reale, një trajtë e shqiptimit krahinor, sikundër flitet edhe sot në anët e Matit e të Lumës. Atje përdoret fjala “shpert” si në shprehjen “më dulë shperti”. Prandaj, do të mendohet që shkruesi i parë i këtij dokumenti ka qenë prifti i atyre anëve”, shkruan Çabej.

“Formula e Pagëzimit” është përfshirë në dokumentet që i takojnë Kuvendit Kishtar shqiptar që u mbajt në Mat në vitin 1462. Çabej ka shkruajtur se formula që përdoret në pagëzim, ka qenë lashtësisht në përdorim të kishës e në gojë të popullit dhe shkruesi i Kuvendit të Matit nuk bëri gjë tjetër veçse nguliti me shkrim një traditë të trashëguar brez pas brezi, e me një trajtë pothuaj të ndryshuar”.

Kjo na bën të mendojmë që shqipja është shkruar më herët. Po ç’na thonë dokumentet mbi këtë ngjarje të rëndësishme që ka hyrë në histori si Kuvendi i Matit.

Sipas të dhënave Kuvendi i Matit i filloi punimet më 8 nëntor 1462, në një fazë relativisht të qetë shqiptaro-turke, me nismën e prelatit Pal Ëngjëlli dhe thuhet që kuvendi është mbledhur në një kishë të njohur që quhet Kisha e Trinisë së Shenjtë të Matit. Një kishë e tillë ndodhet pranë fshatit Shëlli, ku zakonisht mblidheshin kuvendet e malësorëve matjanë.

Në këtë kuvend morën pjesë paria e klerikëve të Shqipërisë së Mesme dhe Veriore si dhe paria e vendit dhe një pjesë e madhe fshatarësh. Ishin vite të vështira në fakt për shqiptarët. Historia na tregon se Skëndërbeu ishte në vitet e fundit të jetës së tij dhe Arbëria gjithnjë e më shumë po rrezikohej të binte nën pushtimin turk.

Klerikët duke qenë se janë shquar gjithmonë në lëvizjen kombëtare nuk merreshin vetëm me çështjet fetare por dhe të ardhmen e atdheut të tyre. Nuk është fare e rastit që mbas këtij kuvendi të rëndësishëm të jetë dora e Skënderbeut.

Të dhëna të rëndësishme historike mbi këtë ngjarje kaq të shënuar dhe mbi të gjitha zbulimin e formulës së Pal Ëngjëllit do i kryente studiuesi, Nikolla Jorga. Duke studiuar për këtë kuvend të rëndësishëm ai nxori nga fondet e bibliotekës “Laurentia” në Firence të Italisë, dokumentet e këtij kuvendi duke zbuluar dhe shkrimin e shenjtë, Formulën e Pagëzimit, që e gjeti në këtë fond. Ajo që nuk përcaktohet mbetet vendi i kishës.

Sipas të dhënave të shumë historianëve në Mesjetë krahina e Matit, nga pikëpamja administrative përbëhej nga një dioqezë më vete, në shkallë peshkopate dhe e kishte qendrën në Lis dhe varej nga Kryepeshkopata e Durrësit. Nga kisha e Lisit vareshin të gjitha famullitë e manastiret e krahinës.

Formula e Palë Ëngjëllit përbën një vlerë monumentale për gjuhën shqipe dhe për gjithë historinë e shqiptarëve. Ka rëndësi të madhe historike se tregon që gjuha shqipe ka qenë shkruar që në kohën e Skënderbeut dhe më parë dhe mbi të gjitha ka një vlerë të madhe se ajo është shkruar me gjuhën e sotme shqipe. Një rëndësi më tepër merr dhe fakti që ajo u shkruajt nga Pal Ëngjëlli, ky personalitet i madh i historisë shqiptare.