Marrëdhëniet me amerikanët në fokus historik njëshekullor

Marrëdhëniet me amerikanët në fokus historik njëshekullor

36
0
SHPËRNDAJE

Nga Prof. Asoc. PhD. Zaho Golemi dhe Alma Golemi

Fokus historik shqiptaro-amerikan

Barometri politik e vlerëson Shqipërinë e shqiptarët si një ndër vendet e popujt më proamerikanë të globit. Shqiptari i parë që shkeli në tokën amerikane i përket vitit 1876. A pasoi nga një prift shqiptar, Prend Doçi në 1877. Fillimshekulli XX bëri që shqiptarët ta shikonin Shtetet e Bashkuara vendin e lirisë, progresit dhe shpresës. Është një histori marrëdhëniesh 137 vjeçare, ndërkohë që shqiptarët e “zbuluan” të fundit Amerikën. Por pas vitit 1900 një “lumë” shqiptarësh ju drejtuan Botës së Re.

Dallojmë tre etapa emigrimesh drejt Amerikës: nga fundi i shek XIX deri në 1920 me rikrijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Etapa tjetër është midis dy luftrave botërore dhe etapa e fundit është ajo e erës së re demokratike. Është fakt i dokumentuar se, në vitin 1910 në Amerikë kanë lindur 2,312 fëmijë nënat e të cilëve flisnin shqip.

Dy kolosë të shqiptarizmës si Faik Konica e Fan Noli u bënë urat e komunikimit shpirtëror të përafrimit më tej të kombeve amerikan e shqiptar. Edhe pse Shqipëria u bë e pavarur në 28 nëntor 1912, marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së u vendosën 10 vjet më vonë. Ato e kanë pikënisjen e tyre më 28 korrik 1922, kur ende shteti shqiptar sapo kishte rikonfirmuar pavarësinë. Vendimi për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara ka ardhur natyrshëm pas vetos që presidenti amerikan Thomas Woodroë Wilson vuri në konferencën e Paqes në Paris duke i rikthyer pavarësinë Shqipërisë.

Presidenti pasardhës i Wilson-it, Warren Harding, emëroi si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik më 4 Dhjetor 1922. Ky ishte guri i parë kilometrik i marrëdhënieve. Ishte i pari që ndriçoi amerikanët mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Ambasadori Smith shkruante: “vend është shumë i varfër, njerëz të pashkolluar e të paushqyer, por çuditërisht përpara meje ndodhet kryeministri Fan Noli, i cili flet një anglishte harvardiane shumë më të mirë nga mua. Dhe unë ndjehem keq përpara tij”.

Lufta e përbashkët e aleatëve nën drejtimin e Marshall Ferdinand Fosh bëri që paqja në Versajë me traktatin prej 440 nenesh të bënte zap luftën. Amerikanët me në krye Uillsonin ishin dielli ngrohës i popujve të vegjël me platformën e tij me 14 pika në Versajë. Krismën e shqiptarëve që hidhnin në det italianët në verën e vitit 1920 në Vlorë e dëgjoi Ullsoni, i cili dërgoi edhe një Kolonel amerikan në Shqipëri në atë kohë. Miqësia shqiptaro-amerikane sa erdhin dhe u forcua. Më 1919 amerikanët denoncuan në Konferencën e Paqes, projektin për coptimin e territoreve shqiptare për eleminimin nga harta e një vendi sovran. Antishqiptarizmi i frymëzuar nga kancelaritë europiane franko-ruse me satelitët e tyre, që ishin fqinjët tanë dështoi përpara Uillsionizmit. Amerikanët e parë që kanë ardhur në Evropë gjatë e pas Luftës së Parë Botërore, kanë depërtuar dhe në Shqipëri me misione të ndihmës mjekësore, teknike e arsimore etj. Makina e parë me flamur amerikan është e dokumentuar në Drashovicë dhe Kotë të Vlorës në Luftën e vitit 1920 (4 qershor deri 3 shtator 1920). Kjo është dokumentuar edhe në AQSH, Fondi i Fototekës AQSH, Dosja 400, Viti 1920, ku tregohet se, pas Luftës së Drashovicës më 28 korrik 1920 është fiksuar në një foto edhe një mkinë me flamur amerikan, ku para saj janë fiksuar tre shqiptarë që drejtonin luftën e Vlorës: Qazim Sejdini, Qazim Koculi dhe Qazim Kokoshi. Pas këtij viti ka një aktivitet amerikan të dendur në fushën ekonomike e kryesisht atë arsimore me disa shkolla amerikane të hapura në vitet 20-30-të. Shqipëria deri në vitin 1939 ishte një komb i preferuar për SHBA-në. Dhjetëra amerikanë erdhën në Shqipëri si diplomatë, biznesmenë, themelues shkollash, shkencëtarë ekspeditash, eksplorues të nëntokës, përfaqësues të kryqyt të kuq amerikan etj.

Në 1939, Shqipëria e humbi pavarësinë e saj pas pushtimit të vendit nga Italia dhe largimit të Zogut nga vendi. Ambasadori amerikan në vitin 1939 në Tiranë, Hugh Grant, i ofroi strehim Zogut dhe familjes së tij, por u refuzua. Ambasada u mbyll zyrtarisht në 16 shtator 1939 dhe Grant u largua më 27 shtator të vitit 1939. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane përfunduan për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia (1939-1943) dhe më pas nga Gjermania (1943-1944) gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aleatët në vitin 1942 e njohën luftën e shqiptarëve kundër fashizmit. Misionet aleatë Amerikan, Anglez e Rus mbritën në Shqipëri, si pjesë e koalicionit antifashist botëror. Misionet mbështetën sipas mundësuive luftën e shqiptarëve. Anglezët kishin misionet më të shumta dhe dhanë kontribut më të madh në Shqipëri. Ndërsa nga amerikanët Thomas Stefan ishte shqiptaro-amerikani që përfaqësonte aleatët amerikanë në LIIB.

Togeri amerikan i Zyrës së Shërbimeve Strategjike me mision në Shqipëri

Ushtaraku i parë amerikan që ka ardhur në Shqipëri është togeri Nick Kukich anëtar i Zyrës së Shërbimeve Strategjike dhe i vetmi marins i SHBA-së në Shqipëri, që krijoi një rrjet inteligjence për të monitoruar divizionet gjermane. Togeri Nick Kukich ishte në atë kohë një ish-oficer artilerie, i cili sapo ishte graduar në fushën e luftës. Ai ishte jo vetëm i vetmi marins amerikan në Tiranë, por edhe në Shqipëri. Togeri Nick Kukich ishte anëtar i OSS (Office of Strategic Services) Zyra e Shërbimeve Strategjike, paraardhësja e CIA-s.
Togeri Nick Kukich u nis me një anije të vogël peshkimi nga Bari në drejtim të bregdetit shqiptar më 31 dhjetor 1943, bashkë me majorin anglez Antoni Kuejëll (Anthony Quayle), dhe kapiteni Stërling Haidën (Sterling Hayden), i cili në atë kohë e bënte rregullisht rrugën nga Bari i Italisë – Shqipëri. Togeri Nick Kukich ishte vendosur pranë shtabit të UNÇSH. Këtë fakt e ka pohuar nga vetë Nick Kukich në moshë madhore, në një intervistë të dhënë për gazetarin shqiptaro-amerikan, Peter Lucas. Nick Kukich rrëfen se si përcolli për shumë kohë informacione sekrete nga Shqipëria për në SHBA. Peter Lucas, ka punuar në Arkivin e Shtetit amerikan, ka zbuluar shumë fakte të tjera të pazbardhura deri më sot, që flasin për marrëdhëniet mes SHBA-së e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilat janë botuar në revistën amerikane “Leartherneck”.

Njëmbëdhjetë amerikanë ranë dëshmorë në Shqipëri

Një avion ushtarak amerikan është rrëzuar në malet e Sheperit të Zagorisë gjatë LIIB. Ata ranë në emër të një kauze të madhe. Instancat shtetërore shqiptare duhet ta zbardhin plotësisht ngjarjen. Amerikanë e shqiptarë ishin në një front të përbashkët lufte. Në Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura është një dokument që flet qartë. Është firmosur nga një kapiten amerikan, përfaqësues i parë amerikan pas LIIB. Në fondet arkivore ushtarake shqiptare është një letër që Kapiten Thomas Stefan, Shef i Misionit Ushtarak Amerikan i drejton Komandës së UNÇSH, në datën 25. Maj 1945, që kërkon leje nga autoritetet ushtarake shqiptare për të dërguar në Shqipëri me automobil nga ana e Greqisë një personel amerikan prej dy vetësh, për të rregjistruar varret e personelit amerikan të rënë në tokën shqiptare nga rrëzimi i një avioni amerikan.
Nga informimet mësojmë se edhe një ekip amerikan në fillim të shtatorit 2009 ka shkuar në AQFA-së, ku ka konsultuar dokomentacionin që gjendet në Arkiv. Amerikanët Danz Edward Blasser dhe Trent Arthur Zuetlau ishin të zyrës së njerëzve të humbur në luftrat të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së. Ata konsultuan dokumentet e viteve 1944-1946, që u përkasin fondeve arkivore të Shtabit të Përgjithshëm dosjet 180, 299, 368, Viti 1945 që bëjnë fjalë për “Listat emërore të Ministrit amerikan në Shqipëri”; “Korrespondencë e Komandës së Përgjithëshme me misionin ushtarak amerikan, për lejimin e hyrjes në Shqipëri të dy ushtarakëve amerikanë, për të rregjistruar varret e 10 ushtarakëve amerikanë të rënë në Sheper të Zagorisë në Gjirokastër”; dhe “Kërkesë Komandës së Përgjithëshme dërguar misioneve ushtarake angleze, amerikane, italiane dhe franceze..
”Shkresa që besojmë se paraqet interes është ajo që Kapiten Thomas Stefan, Shef i Misionit Ushtarak Amerikan i drejton Komandës së UNÇSH, në datën 25 Maj 1945, në të cilën shkruhet: “Gjeneral McNary, Nën Komandant i Ushtërisë Aliate të Mesdheut, dëshiron leje nga Authoritetet ushtarake Shqiptare të dërgoje në Shqipëri me automobil nga ana e Greqisë këta personel amerikan për të rregjistruar varret e personelit amerikan që ranë në fushën e nderit në tokën shqiptare: Toger Leo E. Tritschler, S/Sgt. Bertram Wgorman, T/5 Donald W. McKensie, Sgt. Arthur Shelton, Pvt. Dean P. Harston, Pvt. Coy Breeden, Pfc. Abraham M. Kalina, Pfc. Leland H. Alley, Pfc. Frank Wade, dhe Pvt. Asbury Ball. Një përgjigje e shpejtë të kesaj kërkese do të çmohet fort.” (AQFA, Fondi i Shtabit të Përgjithshëm, dosja 299, Viti 1945). Është në nderin e shqiptarëve që të ngremë një memorial për martirët amerikanë që ranë në tokën tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Do të jetë nder dhe krenari për ne Shqiptarët që dy herë në një shekull kemi pasur miq e partner strategjikë që kanë mbështetur dhe zgjidhur probleme epokale e historike për shqiptarët. Çështja e të rënëve amerikanë ngeli pa u zgjidhur për ndërprerje brutalisht të marrëdhënieve në vitin 1946. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe partneriteti me shqiptarët u ndërpre kështu për 45 vjet me radhë. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, asnjë diplomat amerikan dhe shqiptar nuk vuri këmbë në Shqipëri dhe në SHBA. Sistemi i kaluar e shpalli Amerikën armikun numër një të popullit shqiptar dhe shtetin amerikan e cilësoi si xhandarin e botës. Shqipëria përjetoi izolim të plotë deri në 1985, ku me vdekjen e diktatorit vdiq edhe “komunizmi”, vdiq “kopshti shqiptar i lulëzuar buzë Adriatikut”. Era demokratike fryu edhe për Shqipërinë.

Amerikanët sërish partnerë strategjikë të shqiptarëve

Në vitin 1991, qeveria shqiptare kërkoi lidhje më të ngushta me Perëndimin, në mënyrë për të përmirësuar kushtet ekonomike dhe futjen e reformave demokratike. Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosen përfundimisht. Me dështimin e komunizmit, Shqipëria ju drejtua demokracisë dhe lidhjeve të forta me amerikanët. Më 15 mars 1991 këto marrëdhënie u rithyen. William Rajerson ishte ambasadori i parë amerikan pas rivendosjes së këtyre marrëdhënieve. Tre muaj pas rihapjes së ambasadës më 21 qershor 1991 sekretari amerikan i shtetit James Baker do të vizitonte Tiranën, ku u pritmadhërishëm e që ka ngelur në memorien e të dy kombeve. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane do të shënonin kulmin e tyre, me vizitën historike të Presidentit George W. Bush më 10 Qershor 2007, e para e një presidenti amerikan në Shqipëri. Pamjet e qytetarëve të Fushë-Krujës duke u shtyrë për të përqafuar presidentin Bush, i cili përballë entuziazmit të qytetarëve theu rregullat e sigurisë, do të ktheheshin në lajmin kryesor të televizioneve amerikane dhe botërore. Marrëdhëniet me amerikanët janë më të mirat e mundshme jo vetëm me shtetin shqiptar por edhe atë kosovar. Janë marrëdhënie me një dimension kombëtar shqiptar në botë. Ndihma në demokratizimin e vendit tonë, por edhe zgjidhja e çështjes së Kosovës i dedikohen më së shumti politikës amerikane dhe natyrisht marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara kane qene një partner i fortë për Shqipërinë në rrugën tonë drejt demokracisë, kapitalizimit të ekonomisë, dhe mundësive të reja me frymë perëndimore. Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar e ratifikuar një sërë marrëveshjesh, duke përfshirë edhe një traktat mbi parandalimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë dhe promovimin e marrëdhënieve të mbrojtjes dhe ushtarake, Kartën e Adriatikut në integrimin euro-atlantik etj. Shtetet e Bashkuara mbështesin synimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ashtu siç mbështeti dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në Bukuresht (4 Prill 2008) dhe në Këln–Strasburg (3prill 2009). Shqipëria ka kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale. Shqipëria ka mbështetur politikën amerikane për të zgjeruar numrin e vendeve që njohën Kosovën. Në kuadër të Kartës së Adriatikut, Shqipëria ka qenë shembull për aspirantët e reja të NATO. Ajo ka ofruar trupa ushtarake të kryesuara nga SHBA gjatë veprimeve në Afganistan dhe Irak, dhe ka mbështetur përpjekjet e SHBA kundër terrorizmit.

Fatet dhe gjaku që na bashkon

Çdo komb ka heronjtë e vet dhe ata shkruajnë historinë. George Washington ishte lideri kryesor politik e ushtarak i SHBA-së në vitet 1775-1799. Ai udhëhoqi vendin drejt fitores në luftën çlirimtare kundër Britanisë, dhe u quajt: “Babai i Kombit amerikan”. Ai vuri i pari praktikat presidenciale të qeverisjes si gurët e themelit të Shtëpisë së Bardhë dhe që kishte të ëmën shqiptare: Mary Ball Washington.
Mary në fakt ishte Marije Bala, prindërit e së cilës ishin nga rrethi i Pejës, në Kosovën e sotme. Marija ka lindur në Lively të Virxhinia, në SHBA, në vitin 1708. Prindërit e saj kanë ardhur aty më 1706, pas një udhëtimi të gjatë me anije që nisi nga Raguza, Dubrovniku i sotëm, dhe i çoi ata përmes Britanisë deri në Tokën e Premtuar, në Amerikë. Historia e udhëtimit të gjyshërve të Washingtonit nga Kosova në Amerikë është e përshkruar në librin biografik “Mary Ball Washington” i autores Virginia Carmichael, botimi i parë më 1850. Aty, madje, thuhet se Balajt kishin ardhur nga një fshat “Sinic”, që mund të jetë ngatërrim i emrit të fshatit Isniq, në komunën e Deçanit. Ka qenë një histori deri vonë është mbajtur “për përdorim të brendshëm” në Shtëpinë e Bardhë, dhe se përmendja e prejardhjes shqiptare të Washingtonit është hequr nga lista e temave të ndaluara nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë i SHBA-së vetëm para pak kohe. Washingtoni ishte shqiptari i parë nga ana e nënës, në Shtëpinë e Bardhë”.
Angazhimi i SHBA-së në favor të shqiptarëve ishte një borxh që Amerika ia kthen popullit, nga erdhi nëna e themeluesit të Amerikës. Edhe presidenti Woodrow Wilson kishte lexuar, kur duhej vendosur për krijimin e shtetit të pavarur të Shqipërisë”. Nixoni kishte kontribuar në arritjen e autonomisë së Kosovës, për Kushtetutën e vitit 1974 dhe krijimin e Universitetit të Prishtinës. Kulmet i arriti mbështetja e Bill Klintonit për çlirimin përfundimtar të Kosovës në sulmet 78 ditore të mars-qershor 1999. Dhe së fundi një mendim për mospranimin e armëve kimike të Sirisë. Këtu nuk ka vend për triumf, as për fitues dhe as për humbës. Ishte një e drejtë legjitime shqiptare përmes mirëkuptimit amerikan si aleat strategjik. “Ora e Shqipërisë” erdhi në një situatë komplekse përmes interesave, të opinionit publik. Zgjidhja ishte dinjitoze dhe miqësia shqiptaro-amerikane është e përhershme, e sinqeritë jashtë konjukturave të çastit. Kontributi shqiptar në kuadër të NATO-s dhe BE-së ka qenë e mbetet konstant sipas kapaciteteve.