Fillesat e zgjimit kombëtar shqiptar ne oborrin e Ali Pashe Tepelenës (Pjesa...

Fillesat e zgjimit kombëtar shqiptar ne oborrin e Ali Pashe Tepelenës (Pjesa 2)

59
0
SHPËRNDAJE

Shkruan: Dorian KOÇI

Vijon nga Pjesa 1

Rrezatimi dhe influenca e oborrit të Ali Pashë Tepelenës për sa i përket lëvrimit të shqipes do të ndihej dhe në ishujt Jonianë, të cilët që nga viti 1797 ishin bërë strehë e një kolonie të admirueshme shqiptarësh nga kontinenti, sa ushtarakë po dhe intelektualë që për arsye të ndryshme që lidheshin sa me kundërshtimin e pushtetit të Ali Pashës po aq dhe me inkuadrimin e tyre në elitë qeverisëse të ishujve. Në këtë kohë në Korfuz vërehet një lëvizje arsimore dhe kulturore ndër refugjatët shqiptarë të atjeshëm. Një prirje e veçantë për kultivimin edhe të gramatologjisë shqipe u vu re në fillimet e shekullit të XIX edhe në arbëreshët(arvanitasit) e ishujve jonikë që sipas studiuesve , u frymëzuan nga jehona e Revolucionit Frëng dhe impaktit të tij në fushën etnokulturore. Kështu u shkruan fjalorë dhe disa punime të thjeshta filologjike, prej të cilave mund të përmendim ato të Kundoriotit, A.Vretos,G.Rucadhit dhe mbi të gjitha fjalorin e mirënjohur Greqisht-Shqip të Marko Boçarit.

Si mund të vërehet lehtë në këto vite ka një bashkëpunim shumë të mirë midis Helenizmit që prej kohësh gjallonte në Ballkan nëpërmjet një rrjeti të mirë organizuar shkollash pranë kishave dhe së fundi dhe në shkolla civile si ishte akademia e Bukureshtit, Voskopojës dhe shkolla e Janinës e drejtuar nga Psalidha dhe shqiptarizmit që po lindte ashtu si në gjithë kulturat e tjera fqinje nga nevoja për të kuptuar dhe njohur Shkrimet e Shenjta por dhe si një shprehje e vullnetit politik të etnisë shqiptare. Në këtë kontekst po ndodhte ajo që shumë studiues të nacionalizmit e quajnë si fillesat e protonacionalizmit ku identiteti gjuhësor dhe territorial po ngjizeshin për të krijuar identitetin kombëtar të shqiptarëve.

Edhe pse një komponent i rëndësishëm i formimit të këtij identiteti si ishte identiteti fetar nuk ishte i njëjtë te shqiptarët, pasi një pjesë e tyre ishin konvertuar në Islam gjatë shekullit të XVII, karakteristikë e përgjithshme ishte se edhe elementi mysliman shqiptar në Jug të Shqipërisë përpjekjet e veta për të shkruar shqip apo për të krijuar vepra në greqisht por me subjekte me sfond shqiptar. Kështu p.sh në këto vite kemi disa përpjekje për të shkruar eposin e Ali Pasha Tepelenës, ku mes tyre sigurisht spikat Ali Pashaida e Haxhi Shehretit, një miku të rinisë së Pashait. Poema është shkruar në greqishten e re, por shpesh herë aty ka dhe fjalë shqip. E shkruar në heksametër, ajo paradoksialisht ka ndihmuar në promovimin e dialektit modern të greqishtes, por rëndësia e saj në aspektin kulturor qëndron edhe në faktin se mes elitave myslimane shqiptare, gjuha greke kish gjetur udhën si mjet shprehës dhe kulture. Liku dëshmon në veprën e vet se kur bujt në shtëpinë e Demir Aga Dostit në Kardhiq, një fisniku shqiptar të kohës, fëmijët e tij krahas arabishtes dhe persishtes mësonin dhe greqisht si gjuhë kulture.

Vetë Ali Pasha Tepelena si tregojnë dhe shumë dëshmitarë se kur përdorte shqipen dhe turqishten për korrespodencën e tij personale, ai e shkruante me alfabetin grek, duke transkriptuar çdo lloj gjuhe që përdorte në alfabetin që njihte më mirë . Sigurisht që këto marrëdhënie do të vazhdonin të ishin të ngushta edhe në vitet e më vonshme pasi një pjesë e madhe e elitës shqiptare myslimane si Ismail Qemali, Abedin Pasha Dino, vëllezërit Frashëri etj u shkolluan në gjimnazin e famshëm Zosimea të Janinës ku gjuha greke luante një rol parësor në edukimin e përgjithshëm madje Naim Frashëri dhe Abedin Dino do të shkruanin më vonë dhe dy poema të gjata në greqisht. Ky aspekt i përdorimit të gjuhës greke nuk duhet marrë si shenjë e një turbullimi linguistik por më së shumti hedh dritë edhe mbi karakterin “lingua franka “ që luante gjuha greke në rajon, karakter që ajo e kish fituar si një trashëgimtare e qytetërimit bizantin.

Kjo kulturë e përgjithshme e kohës reflektohej dhe në tolerancën dhe universalizmin që predikohej nga ana e Kishës Ortodokse dhe Patrikanës për vetë kushtet dhe rrethanat e kohës, sidomos në prag të shpërthimit të revolucionit grek si dhe të shumë ndryshimeve kulturore që po ndodhnin në Ballkan. Kështu në vitet 1819-1827 kur Vangjel Meksi, i kontaktuar nga Shoqëria Biblike Jonike për të përkthyer në shqip Shkrimet e Shenjta, nuk has ndonjë problem doktrinar apo akuzë për blasfemi pasi iniciativën e Shoqërisë Biblike e kish mbështetur dhe mirëkuptuar edhe Patriarkut Grigori i V të Konstandinpojës, i cili bekoi themelimin e saj . Rëndësia e këtij botimi ishte shumë e madhe për kulturën shqiptare dhe sidomos për ringjalljen e vetëdijes kombëtare.

Kur Shoqëria Biblike nëpërmjet përfaqësuesit të vet Laundzi dëshiroi të verifikojë punën e bëre në Shqipëri dhe përmes një letre që ai i dërgon Shoqërisë Biblike në 6 maj 1825 mësojmë se një shqiptar që erdhi nga atdheu i ka thënë: “Gëzimi dhe kënaqësia e njerëzve ishin kaq të mëdha , sa kur bie dita që të lexohet Ungjilli i Mateut, ai lexohet rregullisht shqip në kisha”. Ky është një kumtim i rëndësishëm: për herë të parë e kemi të dokumentuar, që ungjilli lexohet i përkthyer shqip në kishat tona si libër i plotë. Për më tepër, dokumentohet se trualli ishte përgatitur edhe priftërinjtë shqiptarë edhe besimtarët ishin të etur për të përdorur gjuhën amtare dhe është kjo etje, që do ti siguronte suksesin Rilindjes Kombëtare për një shekull të tërë.

Mirëpo kjo frymë e mirë bashkëpunimi midis Iluminizmit Helen dhe Shqiptarizmit që po lindte do të fillonte të përkeqësohej me lindjen e nacionalizmit në Ballkan dhe formimin e shtetit kombëtar grek. Elita politike greke e mbështeste aksionin e saj politik mbi platformën nacionaliste të Megali Idesë (1844) që nënkuptonte restaurimin e Perandorisë Bizantine. Në këtë formë ishte pranuar botërisht që Megali Ide-ja ishte imperialiste dhe që përfshinte absolutisht dhe saktësisht nënshtrimin e popujve të tjerë ndaj Helenizmit . Nacionalizmi grek ishte i tipit mesianik pasi i njihte vetes rolin e shpëtimit të të gjithë ortodoksëve të Ballkanit që i barazonte me grekë nga sundimi osman , përfshirë këtu dhe ortodoksët shqiptarë. Ky konflikt do të kushtëzonte dhe përdorimin e gjuhës shqipe në liturgjinë fetare ortodokse, çka për mënyrën sesi kish filluar shkrimi dhe përdorimi i gjuhës shqipe në oborrin e Ali Pasha Tepelenës tingëllonte disi paradoksial.

Gjithsesi pavarësisht këtij konflikti nacionalist që filloi të ravijëzohej në marrëdhëniet midis dy popullsive më të vjetra të Ballkanit, ajo që vlen për të përmendur është se tradita e formuar në oborrin e Ali Pasha Tepelenës do të krijonte një model të qëndrueshëm dhe për vitet në vazhdim çka do të përcaktonte dhe zhvillimin e një paradigme kulturore shqiptare të vazhdueshme me perspektivë evropiane. Idetë e Iluminizmit Evropian dhe atij ballkanik influencuan shumë në formulimin e ideve të Rilindjes Kombëtare shqiptare duke shënuar kështu një trashëgimi të qëndrueshme idesh nga njëra epokë në tjetrën, që në rastin shqiptar i shtoheshin dhe ato të çlirimit kombëtar dhe themelimit të një shteti kombëtar.
Bibliografi:
1- Ferraj,Hysamedin “Skicë e mendimit politik shqiptar”. (Pegi,Tiranë 2006)
2- Flemming,Katherine “Bonaparti Mysliman” (Dituria, Tiranë 2002)
3- Hobhouse,K.Xhon “Letra nga Shqipëria”. (Toena, Tiranë 2001)
4- Lloshi,Xhevat “Përkthimi i V.Meksit dhe redaktimi i G.Gjirokastritit 1819-1827”. (Onufri, Tiranë 2012)
5- Lik.M,William “Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”. (Migjeni, Tiranë 2008)
6- Papagjeorgjiu,Gjeorgo “ Ali Pasha-një drejtues otoman me mentalitet evropian” (Elefterotypia, Athina 15 Mars 2001)
7- Stavrianos, L.Stavros “The Balkans since 1453” (C.Hurst&Co, London 2000)
8- Tushi,Dion “Grigor Gjirokastriti dhe gramatologjia shqip”. (Buletini Shkencor Universiteti Fan S.Noli Korçë, Viti i XVII, nr 23 2012)
Shkrimi u publikua sot (08.12.2013) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)