Hylli, mbreti i parë i ilirëve dhe misteri i kafkës së kristaltë...

Hylli, mbreti i parë i ilirëve dhe misteri i kafkës së kristaltë (Pjesa 4)

82
0
SHPËRNDAJE

Shkruan: ALBERT HITOALIAJ

Vijon nga pjesa 3

Të parët e ilirëve e kanë prejardhjen dhe emrin nga pellazgu Hyll

Meqenëse mendimet e autorëve të tjerë nuk sjellin ndonjë gjë të re për çështjen tonë, po mundohem të paraqes sa më shkurt tezën time. Por as unë vetë nuk pretendoj se do të sjell gjëra të sigurta, për të cilat nuk mund të dyshohet.

Për çështje që i përkasin kohëve të vjetra e të errëta, është më e thjeshtë të dallosh të pavërtetat, sesa të gjesh të vërtetat e të sigurtat. Gjykoj se do ta kem kryer detyrën time, nëse do të arrij të ndjek rrugën, që më duket më e drejtë. Në fakt unë gjykoj se i përgjigjet më shumë së vërtetës teza sipas së cilës, të parët e Ilirëve e kanë prejardhjen dhe emrin nga pellazgu Hyll, djalë i pellazgut Herkul.

Nuk do të dëshiroja që lexuesi t’i konsideronte si legjenda e krijime fantastike të gjitha rrëfimet që na kanë lënë historianët e lashtë mbi Herkulin dhe bëmat e njohura të tij.

Askush, përveç atyre që nuk i besojnë fare historianëve antikë, s’mund të mohojë, që ka ekzistuar dikur një burrë, që quhej Herkul, me forcë e virtyte të jashtëzakonshme, i cili brodhi botën, duke përballuar rreziqe të shumta e të rënda, duke kryer vepra të shquara e të guximshme, duke i bërë shërbime të shumta racës njerëzore.

Sigurisht, lashtësia i ka atribuuar Herkulit shumë gjëra, të cilat janë të pavërteta dhe krejt të pabesueshme. Por këto i detyrohen frymës dhe zakoneve të asaj epoke, për të cilat flet gjatë e gjerë Varroni. Në fakt, shkrimtarët ia lejonin vetes që t’i zbukuronin dhe t’i frynin bëmat e heronjve të lashtësisë me rrëfime mahnitëse e të trilluara.

Në ndonjë rast, nën koren e këtyre legjendave fshihet ndonjë e vërtetë, siç shpjegon bindshëm Palaephatus lib. I, si dhe mjaft dijetarë të tjerë të shquar. Ndër djemtë e shumtë që Herkuli zuri me gra të ndryshme, thuhet se dy prej tyre u quajtën me emrin Hylli; i pari u lind nga Dejanira, kurse i dyti nga Melita, bijë e Nausithës, mbret i Feakasve.

Grenovius na informon i pari se, për arsye të panjohura, Herkuli ishte joshur aq shumë nga fjala Hylli, saqë vendosi t’u verë dy ose më shumë se dy djemve të tij emrin Hylli. I pëlqeu aq shumë ky emër Herkulit, shkruan ai, saqë thuhet se quajti me të jo vetëm njërin prej bijve të tij.

Prej kohësh është cituar e komentuar pasazhi i Apollon. Rodit, lib. 4, që rimerret edhe nga Stefan Bizantini, ku ai përmend Hyllin e lindur nga Melita; por njëherësh nuk lë pa përmendur një tjetër Hyll të lindur nga Dejanira, ndërkohë që autorë të tjerë nuk mjaftohen me këta dy Hylla, por prodhojnë akoma të tjerë me këtë emër. Por nuk duam të përsërisim këtu thëniet e tyre.

Tezën sipas së cilës Hylli, djali i Herkulit dhe i Melitës mori në dorëzim një principatë në trevën ku u shfaq emri llirik, dhe se prej tij u quajtën Hyllinë edhe popujt e atij vendi, e kanë mbrojtur autorë të vjetër e plot autoritet, si: Apolloni, Skylaksi, Skymni, Festus Avieni si dhe të tjerë.

Me ta bien dakord edhe thuaj të gjithë autorët më të rinj, që kanë shkruar mbi ngjarje të atyre kohëve dhe të atyre vendeve. Për sa i përket çështjes se në ç’mënyrë ajo principatë kaloi në duart e Hyllit, për këtë ka vetëm hamendësime nga autoret antikë.

Herkuli erdhi në Itali pas ekspeditës hispanike e gale, dhe u prit aty nga Evandri në vitin 1238 para Krishtit sipas kronologjisë petaviane, afro pesëdhjetë e pesë vjet përpara se Enea të zbriste në Itali.

Pasi u largua nga Evandri, përshkoi me këmbë, siç ishte zakon, të dy brigjet e Adriatikut, deri sa mbërriti në një vend që për shumë shekuj kishte qenë pjesë e Maqedonisë, më vonë u quajt Epiri i Ri, kurse tani thërritet Shqipëri (Albania). Kështu thonë Diodor Sikuli dhe Appian Aleksandrini.

Herkuli, shkruan Diodori, pasi përshkoi gjirin Adriatik, kaloi drejt e në Epir, prej nga u zhvendos në krahinën e dominuar nga malet Akrokeraune. Por Appiani në librin e dytë mbi Luftën Civile, pasi shmang udhëtimin në Gali e Itali, e vendos mbërritjen e Herkulit në këto vende menjëherë pas ekspeditës Hispanike.

Hylli, i biri i Herkulit dhe i perëndeshës Melita, dhe mbretëria e tij

Pra, kur Herkuli mbërriti në Epirin e Ri rrotull vitit 1237 para erës së re, aty sundonte Dyraku (Dyrrhachus) nga fisi i Kadmit, nip i Epidamnit, i cili e kishte selinë mbretërore në një qytet të themeluar nga gjyshi i tij dhe që quhej Epidamn.

Ky kishte dy vëllezër, të cilët të shtyrë nga etja për pushtet, nxitën një kryengritje popullore për të dëbuar vëllain e për të shtënë në dorë pushtetin. Ardhja e Herkulit i shkoi mjaft për shtat Dyrakit, i cili në atë kohë rrezikonte jetën dhe mbretërinë e tij.

Ndaj e priti mikun sikur të kishte rënë nga qielli dhe iu lut atij ta ndihmonte kundër vëllezërve, duke i premtuar një pjesë të mbretërisë, në rast do t’ia dilnin mbanë. Nuk refuzoi Herkuli, që kishte lindur për të shtypur tiranë e për të ndihmuar njerëzit e varfër e fatkëqij.

Nxori në fushën e betejës luftëtarët dhe miqtë që e kishin shoqëruar në udhëtimet e në vuajtjet e tij, u ndesh me armiqtë dhe pasi i shpartalloi dhe i dëboi vëllezërit, i siguroi Dyrakit sundimin në mbretërinë e trashëguar nga të parët. Ky nuk e harroi premtimin për të shpërblyer nderin e bërë, ndaj shkëputi një pjesë të mirë nga zotërimet e tij dhe ia dhuroi Herkulit.

Këto ngjarje Appiani i përmbledh me pak fjalë: “Në kohën kur Dyrakit i kishin shpallur luftë vëllezërit e tij, mbërriti nga Erythria Herkuli, i cili i ofroi ndihmë, me kusht që t’i jepte një pjese të zotërimeve; duke u bërë bashkëpjestar i Mbretërisë.

Dyrakinët e shpallën atë si kreun e tyre, por jo sepse donin të mohonin Dyrakun, por më shumë sepse Herkuli u jepte rastin ta çonin origjinën e tyre tek Zoti”. Megjithëse Appiani nuk sqaron se cila ishte ajo krahinë, të cilën Herkuli e pranoi nga Dyraki si shkëmbim për aleancën e tij nuk ka arsye të dyshohet nëse ajo ishte apo jo pjesë e Mbretërisë Dyrakine, që në anën e perëndimit përfshinte viset midis Drilonit e Naronës.

Në fakt, sipas pohimeve të të gjithë autorëve të vjetër, Kadmi, që më pas ja la në trashëgim pushtetin Dyrakit, kishte sunduar në vendet e Enkelejve dhe pikërisht aty dëshmohej dikur ekzistenca e monumenteve të Kadmit.

Por meqenëse shkrimtarët e sipërpërmendur na kumtojnë se në ato vende sundonte mbi popullin e Hyllinëve Hylli, djali i Herkulit dhe i Melitës, është e drejtë të konkludojmë se, ky e mori dhuratë nga i ati këtë vend të fituar falë trimërisë atërore.

Më tej, siç rrëfen Apolloni, Hylli u edukua tek gjyshi, Nausithus, në Feaki, d.m.th. në ishullin e Korkyrës (Korfuzit-shënim jashtë tekstit origjinal të Farlatit), ku iu nënshtrua një disipline të rëndë e të ashpër.

Kështu që, kur ky i kërkoi gjyshit leje që të kthehej në atdhe për të marrë në dorëzim mbretërinë e lënë në trashëgim nga i ati, gjyshi i dha nipit të gjitha udhëzimet e nevojshme bashkë me të drejtën që të merrte me vete nga Korkyra sa njerëz të dëshironte.

Siç thotë Apoloni, Hylli bashkë me një grup të madh njerëzish të mbledhur në tokën e Feakasve u zhvendos në bregun e detit Saturn (d.m.th. Adriatik), dhe pasi mbreti Nausithus i tregoi drejtimin e lundrimit, u nis. Hylli u nda nga gjyshi plot dashuri, dhe rreth vitit 1236 para Krishtit solli me vete një koloni të tërë Feakasish, që i vendosi në ato toka që Herkuli i kishte marrë nga Dyraki, kurse ai vetë i mori si trashëgimi nga i ati Herkul, dhe aty hodhi bazat sa të mbretërisë së tij aq edhe të Ilirikut historik.

Pra, me të mbërritur në këto anë, Hylli u ndau toka e shtëpi Feakasve, që kishte sjellë me vete. Njëherësh, me qëllim që ky vend dhe banorët e tij, qofshin autoktonët apo të ardhurit, të mos ishin thjesht shtetas të tij, por edhe të mbanin emrin e tij, e quajti vendin Hyllë ose Hyllidë, kurse banorët Hyllinë. Ne gjykojmë se, prej këndej zë fill emri dhe fara e Ilirëve.

Sepse, nëse vërtet i duhet besuar argumenteve të etimologjisë, që merret me hetimin e origjinës së fjalëve, nuk duhet ta kenë gabim ata që e bëjnë fjalën Illyrik të prejardhur nga Hyllinët. Vështirë të gjesh tek shkrimtarët një popull tjetër, si fisi dhe vendi i Hyllinëve, që të ketë pësuar aq shumë variacione të emrit.

Në fakt, populli është quajtur Hyllë, Hyllinë, Hylleidë, Hyellë, Hylleicë, Hyllicë, ku çdo formë e mësipërme ka dhënë të tjera forma të shtrembëruara. Por, a do të ishte i mundur shndërrimi i fjalës Hyllinë në Ilirë? Midis dy fjalëve ka njëfarë ngjashmërie e familjariteti, ç’ka tregon se ato e marrin origjinën e përbashkët tek emri i lashtë Hyll.

Nuk më duket se fjalët Hyllinë e Hyll qëndrojnë afër me njëra-tjetrën, sa ç’qëndrojnë larg fjalët Illyrë e Hyllinë. Mua më duket se forma e sotme e mjaft emrave të tjerë të lashtë e më të rinj, përmban shtrembërime akoma më të dukshme, e megjithatë ata emra janë pranuar dhe përdoren nga njerëzit.

Sikur të kisha kohë, do të mund të përmendja gjashtëqind shembuj autorësh të njohur, të cilët origjinën e emrave e nxjerrin nga prototipe shumë të largëta, aq sa midis formës së parë dhe asaj të derivuar me vështirësi gjen ndonjë afërsi apo ngjashmëri.

Kështu, kur ata flasin për krijuesit e parë të popujve pas përmbytjes së madhe, pretendojnë se nga Thira vjen emri i Thrakëve, nga Madai rrjedh emri i Medëve, nga Javan ai i Jonëve dhe nga Thogorma vjen emri i fisit të Thygramanëve.

Këtu duhet shtuar se, meqenëse në emrin e përgjithshëm Ilirik përfshihen disa provinca, mund të përcaktohet deri diku koha, kur secila nga ato mori emrin Ilirik, që nuk e kishte më parë. Në fakt, nuk mund të gjendet koha e saktë dhe e sigurt, kur filloi të përmendej emri Ilirik, kur treva midis rrjedhës së lumenjve Naronë e Drilon filloi të quhej ilirike dhe kur ajo hyri nën juridiksionin e Ilirikut, që duhej të ekzistonte më parë.

Nga ku mund të nxirret konkluzioni se, Hyllinët nuk ishin të emërtuar sërishmi kështu, për sa kohë kishin si paraardhës Ilirët, Hyll dhe Hyllinët i përkisnin fisit Pellasgjik ose grek, sepse i ati i Hyllit, Herkuli, kishte lindur në Tebë, në Greqinë e mesme, dhe nga baba e nga nëna e kishte origjinën nga fisi i stërlashtë i mbretërve të Argosit e të Mikenës.

Ndërkohë, ata feakas, që Nausithus ia dha Hyllit për shoqërues, e kishin prejardhjen nga një fis i vjetër pellazgjik nga Arkadia, i cili në një epoke të caktuar emigroi nga trojet atërore duke u derdhur në Evropë e në Azi, ku pushtoi disa, ishuj, brigje dhe hapësira të pafundme toke. Këto të dhëna i japin Herodoti, Straboni, Halikarnasi, Pausania e shumë të tjerë.

Por duhet t’i zëmë besë edhe Rafael Levakoviçit, arqipeshkv i Ohrit dhe hulumtues i zellshëm i çështjeve ilire, i cili në parathënien gjeografike mbi historinë Ilire, na josh të pranojmë tezën e mëposhtme, i së cilës ai është autor: fillimisht thuhej se, populli Ilir vinte nga Hyllejtë, që e merrnin emrin nga Hylli, djali i Herkul Alkeut dhe i Melitës, vajzë e lumit Egje.

Por më vonë ndryshuan të dhënat e shkruara dhe gojore, dhe u shfaq një rend i ri i emrave: në fillim u vu Hylleni, pastaj Illiniku dhe në fund Illyriku. Po ashtu, Hylli, që u dha emrin e tij Ilirikëve, shfaqet nën emrin Illynik e Illyrik.

Nga ana tjetër, ai quhet Hylli i Melitës ose Hylli i vogël, për ta dalluar nga Hylli tjetër, bir i vëllait të tij të madh dhe i Dejanirës.