Hylli, mbreti i parë i ilirëve dhe misteri i kafkës së kristaltë...

Hylli, mbreti i parë i ilirëve dhe misteri i kafkës së kristaltë (Pjesa 3)

79
0
SHPËRNDAJE

Shkruan: ALBERT HITOALIAJ

Vijon nga pjesa 2

Mbi pellazgët, paraardhësit e fisit ilir – Mbi origjinën e emrit e të popullit ilir

Për të krijuar një ide në lidhje me faktin nëse është Hylli, mbreti i parë i ilirëve, apo nëse ka të tjerë mbretër ilirë para tij; nëse ia dha ai emrin kësaj race apo nëse kjo racë e kishte trashëgim këtë emër nga një periudhë arkaike akoma e padokumentuar saktë, e keqinterpretuar apo e pathënë ose e shformësuar e keqshqiptuar në literaturën e lashtë, kjo ngelet për t’u shtjelluar me kujdes dhe për t’u trajtuar më gjerësisht.

Këtë gjë nuk e bën dot një shkrim. Ndoshta tokat (shqiptare/hylline) ruajnë në brendësi, të heshtura e besnike, sekrete të tilla si tripodin e Apolonit, varrin e Kadmit e të Harmonisë, atë të Medeas e të Jasonit, e ndoshta-ndoshta edhe vetë Bashkën e Artë.

Nisur nga pamundësia për të shfaqur një panoramë të plotë zanafillës së emrit Hyll brenda këtij shkrimi dhe duke menduar se pjesa e mëposhtme jep një informacion të dobishëm në lidhje me këtë emër, duket e arsyeshme që interpretimi i Farlatit të jetë pjesë e këtij diskutimi. Pjesa e mëposhtme është marrë nga vëllimi i parë i veprës “Illyricum Sacrum”.

Nga Daniele Farlati-“Illyricum Sacrum, v. I”

Hyrje mbi Ilirikun

Përpara se të nis e të shkruaj për Dalmacinë e për kishën e Salonës, është e nevojshme të them disa gjëra në mënyrë të përmbledhur për universin ilirik, pjesë e rëndësishme dhe shumë e dëgjuar e të cilit ka qenë gjithmonë Dalmacia.

Shpjegime të mëtejshme e më të hollësishme për këtë çështje do t’i japim në shënimet që do të shoqërojnë historinë kishtare të Ilirikut. Kjo trevë ka qenë e quajtur Ilirik si nga latinët, ashtu edhe nga grekët; por grekët jo rrallë e quajnë atë edhe Iliridë.

Këtë formë ndonjëherë e huazuan edhe latinët, si p.sh. Pomponius Mela në librin I, kreu 3: Anën e Adriatikut e zë Ilirida. Këtë vend e ndeshim të quhet Iliri tek autori grek Stefan apo te autori latin Proprec, libri I, Elg. VIII: A thua se për ty vlej më pak se Iliria e akullt?

Banorët e atij vendi i quajnë ilirë, si grekët, ashtu edhe latinët. Ndër autorët grekë që i quajnë ata ilirë është edhe Eustathi, në shënimet e tij mbi Periegetin. Por tani është bërë zakon, madje edhe normë të foluri, që këta të quhen edhe ilirikë.

Gjithçka që lidhet me ilirët apo emërtimet që lindin nga emri i këtij fisi, quhen ilirike, si p.sh. grykat ilirike, apo ushtritë ilirike tek Taciti. Mbishkrimet dhe monedhat e vjetra na mësojnë se ata quhen edhe ilirikanë, si p.sh. pretorë ilirikanë e ushtri ilirikane. Një gjë të tillë e konfirmon edhe Valeriani në letrën e tij për Zosimonin, të cilën e përshkruan:

Pollioni në kreun XIV të Klaumt: Në krye të legjionit të pestë, më të zgjedhurit, vumë si tribun Klaudin, një burrë me origjinë ilirikane. Tek Mediobarba, faqe 353, flitet për një monedhë të Decit, ku është gdhendur mbishkrimi: hyu mbrojtës i ushtrisë ilirikane.

Ndërkohë, fjala ilirik, ku gërma latine zëvendëson atë greke, përdoret rrallë, por gjithsesi nuk zhduket krejt. Autorë të ndryshëm e paraqesin në mënyrë të ndryshme gjendjen e fisit ilir, gjë që zakonisht ndodh kur ekzistojnë mendime të ndryshme mbi origjinën e gjuhëve e të popujve.

Pothuaj nuk ka popull, që të mos jetë objekt debati për sa i përket origjinës së emrit e të fisit të vet. Autorët që shkruajnë për origjinën e popujve të ndryshëm japin mendime aq të ndryshme e kontradiktore mes tyre, fusin aq shumë elemente imagjinare në rrëfimet e tyre, saqë lexuesi e ka më të lehtë të dallojë të pavërtetat, sesa të gjejë të vërtetat në veprat e tyre.

Kështu ndodh edhe me çështjen e origjinës së popullit ilir, për të cilën nuk ka një mendim të vetëm, por shumë të tillë. Appian Aleksandrini në Illyr, mbi bazë të rrëfimeve popullore, pohon se Ciklopi Polifem pati nga gruaja e tij Galatea tre fëmijë, të cilët pasi u larguan nga Sicilia, sunduan në vise të pafundme, në Kelt, në Galë dhe së fundi në Ilir, prej nga kanë ardhur emrat e keltëve, galëve dhe ilirëve.

Por, megjithëse vetë Appiani e pranon se këto tregime janë më shumë fantazi sesa histori e vërtetë, përsëri ai është i prirë t’u besojë më shumë atyre, sesa rrëfimeve të pabesueshme të autorëve të tjerë, që gjithashtu shkruajnë mbi origjinën e ilirëve. Mes gjithë rrëfimeve që bëjnë fjalë për këtë çështje, shkruan ai, këto më duken më të besueshme.

Autori Stefan Bizantini mendon se, emrat ilirik e ilirë vijnë nga emri i djalit të Kadmit, Ilirit. Të njëjtën gjë pohon edhe Eustathi në konsideratat e tij mbi Dionisin: në të djathtë ndodhen vendet e ilirëve, që quhen kështu prej emrit të djalit të Kadmit, Ilirit.

Këtë mendim me këta dy autorë e ndan edhe Apollodori, i cili, në librin 3 shkruan se Iliri ishte djalë i Kadmit, mbretit të Ilirëve: mbi ilirët sundon Kadmi dhe këtij i ka lindur një djalë me emrin Ilir. Gjithsesi, një shpjegim i tillë kundërshtohet nga Samuel Bochard, sipas të cilit fjala Ilir s’ka të bëjë fare me gjuhën e Fenikasve apo të Amoritëve që përdorej nga Kadmejtë.

As në zakonet e në institucionet e ilirëve dhe as në gjuhën e tyre të hershme dhe te sotme apo vulgare, nuk ndeshet ndonjë gjurmë e origjinës nga Fenikia, vendi ku u lind Kadmi. Gjë që na shtyn të mendojmë se, emri dhe origjina e tyre duhen kërkuar në një vend, që ka emër e zakone të tjera.

Në mbrojtje të kësaj teze nuk mund të përdoret as emri i Apollodorit, i cili i atribuon emrin Ilir djalit të Kadmit. Në fakt, autorë të ndryshëm e kanë zakon të përdorin për kohët e reja fjalë të marra nga kohë më të hershme.

Kështu, të vjetrit e quajtën të birin e Kadmit me emrin Ilir sipas emrit të vendit ku ai sundoi; por ky vend në atë kohe nuk quhej Iliri, u quajt kështu në kohën kur ata shkruanin.

Për këtë na jep një provë mjaft bindëse fragmenti i përmendur i Apollodorit, ku thuhet se Kadmi sundonte mbi Ilirët përpara se t’i lindte djali Ilir, d.m.th, përpara se ata njerëz të quheshin Ilirë, përderisa (në qoftë i vërtetë pohimi i Stefanit dhe i Eustathit) Ilirët e morën për herë të parë këtë emër sipas emrit ilir që mbante djali i Kadmit.

Kujtoj gjithashtu se, djali i Kadmit u bë sundimtar i një vendi fqinj tek Enkelejtë, që më vonë u quajtën edhe ata Ilirë. Por, meqenëse shkrimtarët e mëvonshëm nuk e dinin emrin e tij, menduan ta quajnë sipas emrit të vendit ku kishte lindur ose ku sundoi, i cili në kohën kur ata shkruanin quhej Iliri.

Këtu duhet shtuar se, qysh prej kohëve shumë të vjetra, e gjithë ajo treve ku lindi emri Ilirik, ishte konsideruar si pjesë e Greqisë, madje edhe tani quhet më së shumti Greqi. Prej këndej mendohet si më e mundur që të parët e Ilirëve ta kenë origjinën nga Pellazgët, ose Grekët, dhe jo nga Fenikasit apo ndonjë emër e popull tjetër.

Prej nga rezulton se nuk është i pranueshëm as mendimi i atyre, që besojnë se origjina e popullit Ilir duhet kërkuar tek Asianët, tek Galët apo tek Sarmatët.