Fillesat e zgjimit kombëtar shqiptar ne oborrin e Ali Pashe Tepelenës (Pjesa...

Fillesat e zgjimit kombëtar shqiptar ne oborrin e Ali Pashe Tepelenës (Pjesa 1)

66
0
SHPËRNDAJE

Shkruan: Dorian KOÇI

Viti 1789 është një vit emblematik për Evropën dhe më gjerë pasi shënon lindjen dhe konceptimin e ideve të reja për shtetin kombëtar. Revolucioni francez përveç përmbysjes së madhe të shkaktuar në rendin shoqëror ngjiz dhe idealet e nacionalizmit. Shumë shpejt me implikimin e Francës në teatrin e Lindjes së Afërme, me traktatin e Kampo Formios në 1797 ku Franca anekson Ishujt Jonianë këto ide fillojnë të infiltrojnë dhe në Ballkan. Infiltrimi i këtyre ideve korrespondon me periudhën kur këto territore marrin një rëndësi jetësore për shtetet evropiane në zgjerim. Këtyre ngjarjeve që shestuan gjithë shekullin e XIX i kishin gjetur një sofistikim ideologjik në lëvizjen e Iluminizmit që pat nisur në Francë që një shekull më parë por që kish rrezatuar gjithandej nëpër kontinent.

Iluminizmi në Ballkan ishte një lëvizje ideologjike, filologjike, linguistike kulturore dhe filozofike në elitat e Ballkanit që u mundua të përçonte idetë dhe vlerat e Iluminizmit francez në botën shpirtërore ballkanike. Ai ishte produkt i brezi të tërë shkollarësh jo vetëm në shkencat shoqërore por dhe në ato të natyrës si Adamantios Korais, Neophytos Doukas, Rigas Feraios, Methodios Anthrakites, Evgenios Voulgaris, Athanasios Psalidas, Balanos Vasilopoulos and Nikolaos Darbaris të cilët ishin në kontakt ne filozofinë perëndimore për shkak se shumica më e madhe tyre studiuan sa në Paris, Londër , Vjenë apo dhe Berlin.

Pjesë e rëndësishme e diskursit të tyre të tyre politik dhe kulturor ka të bëjë me ringjalljen e Greqisë, të vlerave të epokës klasike por dhe shndërrimin e Greqisë në një vend modern evropian. Në këtë sens ideja evropiane e tyre është thelbësore në veprat e tyre pasi ajo paraqitet si një vektor lidhës midis së shkuarës së lavdishme greke dhe ringjalljes të së tashmes.

Iluminizmi grek lëvroi në qendrat e mëdha të kulturës evropiane por pati dhe dy strehëza të përshtatshme ku ndikoi dhe kulturën vendase të atyre vendeve. Kështu Akademi e Re pararendësja e tyre e krijuar në Voskopojë në qytetin e ndodhur në territor shqiptar dhe ku u përplasën kulturat greke, vllahe dhe shqiptare la një gjurmë të pashlyer në memorien historike të komuniteteve që banuan aty por dhe më gjerë në Ballkan. Po kështu Akademia e Bukureshtit, e cila ishte ngritur nën kujdesin e princave Fanariotë që administronin principatat rumune për më shumë se 100 vjet dhe oborri i Ali Pasha Tepelenës në Janinë ku iluministët grekë gëzonin patronazhin dhe favoret e këtij pashai karizmatik në shkëmbim të shërbimeve diplomatike që i ofronin.

Oborri i Ali Pashë Tepelenës në fakt përfaqësonte një mikrokozmos të Ballkanit të asaj kohe , ku veç Iluminizmit grek ka zanafillën e vet dhe ringjallja shpirtërore e shqiptarëve që dalëngadalë nga një elitë ushtarake dhe e ushtrimit të forcës do të përpiqej të shndërrohej dhe në një elitë politike dhe kulturore. Rëndësia e personalitetit dhe oborrit të tij për popullsinë greke që përbënte një pjesë të konsiderueshme të pashallëkut të tij pohohet nga fjalët e fjalët e iluministit grek Neofitos Dukas se Ali Pasha Tepelenën e “dërgoi Zoti që të edukojë të këqijtë dhe të nderojë të mirët, të pakësojë të këqijat dhe të rrisë të mirat”. Sigurisht që për popullsinë shqiptare, popullsi të cilës ai i përkiste, Ali Pasha përfaqësonte një figurë të lartë dhe të pazëvendësueshme.

Sipas Hobhausit të gjithë shqiptarët , edhe ata që nuk i janë nënshtruar fuqisë së tij, flasin me ekzaltim dhe krenari për bashkatdhetarët e tyre dhe kur vjen puna t i krahasojnë me të , duken se ata vazhdimisht nuk para i pëlqejnë meritat e të tjerëve. Kemi dëgjuar vazhdimisht të thonë , kur bije rasti të bisedojnë për ndonjë pasha tjetër: “Ai nuk është siç është Aliu, ska kokë të tillë” . Ky adhurim i tyre për Ali Pashën kishte një bazë të fortë perceptimi që merrte shkas sa nga qeverisja efektive e territorit po aq sa dhe në njohjen ndërkombëtare që po arrinin shqiptarët për herë të parë pas tre shekujsh harrese. Ali Pasha në fillim të shekullit të XIX i nxori shqiptarët në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe bashkë me ta dhe gjuhën e tyre. Nuk besoj se do të jetë ndonjë ekzagjerim pohimi se Ali Pasha i nxiti studimet për gjuhën shqipe dhe kjo nuk është një meritë e panevojshme për të, por nuk i është vënë në dukje deri më sot.

Pikërisht në këtë kohë kemi një përpjekje për një zhvillim kulturor të shqiptarëve ku si paradigmë zhvillimi u morën veprat dhe autorët e Iluminizmit grek, pasi dhe një pjesë e këtij zgjimi kulturor erdhi nga figura që ishin formuar në shkolla kulturore greke dhe ishin personalitete të kulturës ekumenike ortodokse. Gjatë kësaj epoke, sidomos pas forcimit të pushtetit të Ali Pashë Tepelenës, në fillimet e shekullit të XIX dhe rritjes së pranisë diplomatike në Janinë, ku dy përfaqësues të shquar, njëri i Francës republikane Fransua Pukëvil dhe tjetri i Mbretërisë Angleze, William Martin Leake ishin dy personalitete shumë të kulturuar që kontribuuan shumë në nxitjen dhe lëvrimin e kulturave vendase.

Të frymëzuar të dy nga Filohelenizmi dhe ringjallja e interesit për trashëgiminë greko-romake, ata nuk do të qëndronin indiferent edhe ndaj kulturës shqiptare pasi një pjesë e madhe e botës antike që ata adhuronin shtriheshin në territoret shqiptare. Kështu Pukëvili do të ishte nxitësi kryesor i Marko Boçarit të shkruante në 1809 një fjalës greqisht-shqip nga bisedat me familjen e shquar të Boçarëve, të shpërngulur në Korfuz, ndërsa William Martin Leake në një vepër të tij në (1814) ka botuar një fjalor në tre gjuhë dhe një Gramatikë të toskërishtes.

Gjithësesi duket se ka pasur një ndryshim në përpjekjet dhe gjykimet e të huajve për gjuhën shqipe dhe lëvrimin e saj, midis udhëtarëve sporadikë që rrinin shumë pak kohë në Pashallëk si është dhe rasti i poetit të madh Bajron dhe mikut të tij Hobhouse dhe këtyre përfaqësuesve diplomatikë që kaluan një kohë më të gjatë në territoret shqiptare. Kështu p.sh Hobhouse kur flet për personalitetin e Ali Pashë Tepelenës vëren, se me autoritetin e madh, që ka ai vet kurrë si ka shkuar ndërmend për arsimimin që duhet të merrnin shqiptarët , kur realiteti qëndronte ndryshe pasi të paktë në Janinë në atë kohë ushtronin aktivitetin e tyre pedagogjik për sa i përket ushtrimit dhe përdorimit të gjuhës shqipe Vangjel Meksi, Jani Evstrat Vithkuqari që pat ndihmuar Leakun në gramatikën e tij, Stefan Postenani, i cili po në ato vite ka bërë një gramatikë të greqishtes me alfabet shqip, apo dhe Jani Vellarai(1771-1823) mjek i birit të Ali Pashës, Veliut që shkroi “Shënimet për një gramatikë greqisht-shqip”. Nisur nga numri i këtyre aktivistëve të arsimit shqip si dhe përpjekjeve të tyre për të shkruar gramatika të shqipes, mund të themi pa frikë se Janina e Ali Pasha Tepelenës ishte një kopsht pjellor për gramatikat e shqipes.